Autostrada, nisin punimet për Koridorin e 8-të (23 Mars 1999)
Ndërsa në Durrës është përvijuar në kilometrat e parë Superstrada e njohur me emrin Koridori i Tetë lindje-perëndim, në skajin tjetër të kësaj vepre në segmentin Librazhd-Qukës, sapo kanë mbërritur grupet e para të specialistëve projektues. Firma maqedonase “Mavrovo” e cila ka fituar tenderin për 22 kilometra ka disa ditë që ka nisur nga puna.
Punimet janë në fazën përgatitore në një gjatësi prej 5 kilometrash. Përfaqësuesit e firmës bëjnë të ditur se së shpejti mbërrijnë nga Maqedonia makineritë e rënda. Kjo firmë ka nënshkruar kontratën për përfundimin e punimeve brenda afatit prej 20 muajsh. Ndërsa është bërë paraqitja e investuesit për këtë vepër madhore, në plan të parë kanë dalë dhe disa pengesa që sipas specialistëve të huaj janë serioze dhe shkaktojnë vonesa.
Në segmentet e Superstradës që kalojnë në rrethet e Durrësit, Kavajës, Librazhdit dhe Qafë Thanës, mbeten të hapura çeshtje që lidhen me pronësinë e tokës si dhe me aktin shpronësues. Shefi i Seksionit Rrugor Durrës-Kavajë, Robert Albenkue, thotë për Televizionin Klan se vepra në këtë segment mund të përfundohet deri në Janar të vitit të ardhshëm, pasi të zgjidhen mosmarrëveshjet me pronarët e tokës.
Ky përfaqësues ka kërkuar ndihmesën e policisë pasi vetëm për segmentin Durrës -Rrogozhinë janë paraqitur tre lista të ndyshëm pronarësh. Për kilometra që nuk kanë pengesa të tjera , punimet ecin normalisht. Firma Sarandopullos po punon për rrafshimin e këtij seksioni rrugor ndërkohë që kanë përfunduar të gjitha instalimet e nevojshme./tvklan.al
Gazetar : Aleksandër Çipa