Avokatja që është kthyer në ikonë mode (Video)
Amal Clooney u bë e njohur pas martesës me yllin e Hollywod-it, George Clooney. Ka lindur në Bejrut të Libanit, ka studiuar në New York për drejtësi e më pas është specializuar për të Drejtat Ndërkombëtare dhe Penale, Ekstradimin dhe të Drejtat e Njeriut.
Ka punuar në disa poste shtetërore dhe me njerëz mjaft të rëndësishëm. Ka qenë këshilltare e përgjithshme në OKB për çështjet në lidhje me Sirinë, ka ndihmuar për çështjet ligjore ish-Kryeministren e Ukrainës Yulia Timoshenko, ka përfaqësuar në procesin për ekstradimin e tij nga Suedia krijuesin e “Wikileaks” Julian Assange dhe është këshilltare ligjore e mbretit të Bahreinit.
Ajo është njohur me George Clooney në vitin 2013 në një takim bamirësie në Itali dhe në Shtator të vitit 2014 ata martohen në Venecia të Italisë. Në Qershor të vitit 2017 bëhen prindër të binjakëve Ella dhe Alexander. Përveçse njihet si një nga avokatet më të zonja, Amal njihet edhe si ikonë e stilit të veshjeve. Ajo njihet për stilin e saj elegant ku shpesh herë veshjet e saj janë me një përzierje të gjallë të ngjyrave. Nëse në punë vishet me kujdes në një ekuilibër mes thjeshtësisë e krijimtarisë, duke kombinuar ngjyra të theksuara me aksesorët, në kohën e lirë preferon një look elegant, duke përzierë xhinset dhe triko të rehatshme, ose stilin bohem.
Pa harruar të përmendim stilin glamur që ka për mbrëmje dhe evente të ndryshme. Aksesorët janë padyshim një pikë tjetër e fortë e stilit të saj, e veçanërisht çantat. Disa herë është përfolur se stili i saj i përngjan Jackie Kennedy ish-gruas së Presidentit të 35-të të SHBA-së, John F.Kennedy, me një stil personal të veçantë, me një vëmendje pothuajse të çmendur për detajet. Tashmë shumë janë duke kopjuar look-un e saj, e në të ardhme ajo mund të jetë një ndër ikonat e modës.
/tvklan.al