Axhenda/ Kreu i kishës ruse vjen sot në Shqipëri
Patriarku i Rusisë, Kiril vjen sot për herë të parë në Shqipëri me ftesë të kryepeshkopit Anastas Janullatos. Patriarku Kiril do të qëndrojë në Shqipëri në datat 28-29-30 Prill dhe do të pritet nga kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare.
Pritet që kryepeshkopi Janullatos dhe Patriarku Kiril të mbajnë meshë në Kishën Ortodokse. Në axhendën e kreut të kishës ruse është planifikuar edhe një vizitë në manastirin e Shën Vlashit. Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë do të takohet edhe me Presidentin Ilir Meta Kryeministrin Edi Rama.
Patriarku Kiril dhe kryepeshkopi Janullatos kanë një miqësi të hershme dhe janë takuar vazhdimisht, por është hera e parë që takimi i tyre zhvillohet në Shqipëri. Ardhja e Patriarkut rus në vendin tonë konsiderohet historike.
Axhenda në Shqipëri e Patriarkut rus Kiril:
Të shtunën, më 28 Prill 2018, ora 16:00, Kryepeshkopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Ditën e diel, më 29 Prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.
Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare në MAK Albania Hotel.
Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.
Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.
Të hënën, më 30 Prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin, z. Edi Rama. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).
/tvklan.al