“Babalja”, Rama kërkon arrestimin e “pagatorëve”
Kryeministri Rama ka reaguar menjëherë pas daljes së akuzës së prokurorisë që fajëson skafistin Albert Veliu dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti, për inskenimin e një bisede nga ku mori rrugë skandali me vëllain e Ministrit te Brendshëm Agron Xhafaj. Nga rrjetet sociale, Rama kërkon të dalin edhe ata që i quan pagatorët e këtij krimi.
“
Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë! Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund
”, tha Rama.
Vendimit të Prokurorisë për ta quajtur inskenim skandalin e vëllait të Fatmir Xhafajt, Lulzim Basha iu përgjigj me kundërakuza.
“
Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim. Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet.
”
Këtë reagim të Bashës, Rama e ka ironizuar me ikonën e një kllouni serish ne Twitter, ku paralajmëron të tjera të reja nga çështja e Xhisiela Malokut: “
Qetësohu Lulëzim!Mos bëj nevrikun kot xhan se s’ta ka fajin askush që e bëre SHQUP-in Kinostudio. Tani fli deri pasnesër kur të kem ca të reja për ty e për tërë lehaqeniet e klubeve politike e mediatike, që siç dhunuan 10 ditë rresht një vajzë dhunojnë përditë publikun shqiptar.
”
Që kur doli përgjimi, kryeministri Rama nuk e ka besuar se ai ishte i vërtete. Për këtë arsye, kreu i qeverisë dhe Ministri i Brendshëm thanë se kishin siguruar përgjigjen e një laboratori ndërkombëtar që i kishte provuar se zëri i përgjuar nga skafisti Albert Veliu nuk ishte ai i Agron Xhafajt.
Tv Klan