Babysitteri, një punë e re në Shqipëri – (29 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kjo është Brisida, 33 vjeç. Prej 5 muajsh ajo është kujdestarja e këtij fëmije. E njohur me emrin babysitter, ajo ka mbaruar trajnimin tre javor nga shoqata kristiane e grave shqiptare. Këtu ajo punon paradite, në kohën kur mungojnë prindërit e fëmijës dhe paguhet për këtë shërbim 12 mijë lekë të reja. Gjatë kohës që prindërit janë në punë Brisida kujdeset për Enean, si të jetë nëna e tij.
Shoqata kristiane e grave shqiptare, ka trajnuar 90 gra e vajza, ku vetëm 25 prej tyre janë punësuar nëpër familje. Pas marrjes së diplomës, këtu nënshkruhet marrëveshje punësimi me tre palë, shoqata, prindi, babysitteri. Donika Godaj, drejtore e shoqatës sqaron.
Donika Godaj:- “Ne si fillim vumë këto kritere, që të ishin nga mosha 18 deri në moshën 30 ose 40 vjeç. Por në bazë të kërkesave që ne patëm nga familjet, vendosëm që ta shtynim afatin dhe u bë deri në 50 vjeç. Kjo për faktin sepse shumica e prindërve shqiptarë, kërkon që babysitteri, të jetë një grua me eksperiencë në rritjen e fëmijës”.
Megjithëse është mjeshtëri më vete, ajo që deri dje konsiderohej si luks, sot është një zanat më se i zakonshëm./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti