Bajram Curri, policia kontrolle – (4 Shtator 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Policia ka filluar të vërë nën kontroll rrethin e vetëm që ka qenë jashtë juridiksionit të saj faktik Tropojën. Pas hyrjes në qytetin e Bajram Currit të Forcave Speciale të ardhura nga Tirana dhe riorganizimit të komisariatit të rethit duket se gjendja ka ndryshuar mjaft. Atentati me eksploziv në distancë në urën e Vlabonës ndaj Haklajve rreth një muaj më parë e detyroj shtetin të ndërhynte me masa të rrepta për rivendosjen e rendit dhe qetësisë publike.
Gjatë kësaj periudhe Forcat Speciale kanë kryer kontrolle të shumta në rrugët problematike që lidhin Bajram Currin me pjesët e tjera të vendit. Për pasoj janë bllokuar dhjetra makina të vjedhura ose me mall kontrabandë me destinacion kryesisht Kosovën.
Gjithashtu policia ka shkatërruar një sërë bazash të grupeve kriminale duke sekuestruar arsenale të vërteta armatimi. Ndërkaq uniformat blu të drejtuara nga komisari i ri nënkolonel Gani Malushi, kanë filluar kontrollet edhe nëpër banesat e qytetarëve në lagjet e qytetit.
Ky është operacioni i parë i këtij lloji i cili sipas burimeve nga Tropoja do të përsëritet edhe në të ardhmen. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në bashkëpunim mes Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të komisariatit të Tropojës, janë kapur dhe bllokuar 20 armë. Burimet policore nga rrethi i largët verilindor bëjnë të ditur se gjithashtu janë bllokuar edhe dy automjete IFA të cilat ishin ngarkuar me lëndë drusore dhe me miell. Ndalimi i tyre u bë pasi ato rezultuan të ishin pa dokumentacionin e nevojshëm./tvklan.al