Balaj shënon sërish
Vetëm një ditë para grumbullimit me Kombëtaren, Bekim Balaj i dërgoi një mesazh të qartë trajnerit Gianni De Biasi, duke shënuar 2 gola dhe duke i dhënë fitoren Terekut të Groznit me Zenitin e Shën Peterburgut.
Zenit kaloi në avantazh që në minutën e 10 të takimit. Barazimi i Balajt erdhi pas një aksioni që nisi në mesfushë me një top të fituar. Ishtë minuta e 34 e takimit dhe ky barazim solli edhe reagimin e kreut të Republikës Çeçene Ramzan Kadirov, i cili ka festuar në tribunën e stadiumit.
Pak minuta më pas, në të 38-n, Balaj përmbysi rezultatin. Në fund të takimit, Balaj u zëvendësua ndërsa futbollisti tjetër Kuqezi, Odise Roshi luajti për 90 minuta.
Balaj shkoi në kuotën e 8 golave dhe bashkëkryeson listën e golashënuesve të kampionatit rus.
Tv Klan