Balla: Aktet e dhunës po financohen me paratë e korrupsionit të pandëshkuar
Kreu i grupit parlamentar socialist akuza ndaj Berishës, Metës, Kryemadhit dhe Bashës
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka komentuar nga Elbasani për protestat e fundit pas vrasjes së Klodian Rashës.
Balla u shppreh se vetëm protesta e ditës së parë ishte e pangarkuar politikisht, ndërsa tashmë është grabitur nga opozita dhe Presidenti Ilir Meta.
Sipas Ballës, protestat po sponsorizohen nga paratë e koorrupsionit ende të pandëshkuar dhe për këtë akuzoi Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën.
“Protesta e ditës së parë ishte një protestë e nisur nga zëra qytetarë të pangarkuar politikisht, por protesta tashmë është grabitur nga politikanët e së keqes, Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Lulzim Basha janë grabitësit e protestës e cila nisi si një protestë e drejtë për të ngritur zërin kundër një akti që prokuroria e vendit tonë e ka cilësuar si akt kriminal, ka marrë të pandehur punonjësin e policisë dhe gjykata ka vendosur që ta mbajë pas hekurave në pritje të procedimit penal. Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë harruar se kur Sali Berisha dhe Ilir Meta vrisnin qytetarë bashkë me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, vrisnin qytetarë në bulevard, urdhrat e prokurorisë ppër vrasësit nuk ekzekutoheshin dhe merreshin në mbrojtje dhe Basha e persona të tjerë gradoheshin. Lulzim Basha u gradua nga Sali Berisha për vrasjet në bulevard. I bëj thirrje çdo qytetari shqiptar të kuptojë se tashmë nuk janë protesta qytetare sepse protestat qytetare u vodhën dhe u grabitën nga opozita e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Tashmë kemi të bëjmë me disa akte dhune, huliganizëm dhe vandalizëm. Ju jeni dëshmitarë që pati një përpjekje këtu në Elbasan ku PD-ja ishte organizatore. Në Shkodër sot organizimi është nga PD, në Korçë organizmi ishte nga PD dhe LSI. Dhuna po sponsorizohet me paratë e korrupsionit ende të pandëshkuar të Sali Berishës, Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës. Prandaj dua të them që këto akte dhune që çuditshmërisht nuk kanë ndodhur kurrë në këto 30 vite, nuk janë sulmuar kurrë objekte shtetërore”, tha Balla.
Deputeti socialist shprehu solidaritetin me policët dhe tha se ata po mbrojnë pronën publike dhe institucionet.
“Policia shqiptare po mbron pronën publike, po mbron institucionet. Kemi një numër të konsiderueshëm punonjësish policie të dëmtuar nga goditjet e këtyre adoleshentë dhe jo vetëm se mes tyre ka persona të infiltruar nga LSI dhe PD. Shpreh solidaritetin me punonjësit e policisë të dëmtuar”, tha Balla.
Që pas vrasjes së Klodian Rashës në Tiranë janë zhvilluar disa protesta të ndryshme ku nuk kanë munguar edhe episodet e dhunës.
Protesta janë zhvilluar edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë, më së fundmi në Shkodër, ku protestuesit sulmuan selinë e PS-së në këtë qytet./tvklan.al