Balla sugjerim Metës: 9 Maji dita e zgjedhjeve të ardhshme


Balla sugjerim Metës: 9 Maji dita e zgjedhjeve të ardhshme

12:19 08/06/2020

PD hoqi dorë nga kërkesat imagjinare

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi këtë të hënë se opozita u tërhoq nga të gjitha kërkesat e saj në lidhje me Reformën Zgjedhore. Gjatë një prononcimi për mediat, Balla tha se PD pranoi që zgjedhjet e 2017-s kanë qenë të lira dhe demokratike.

“Më vjen mirë që opozita u tërhoq nga kërkesat imagjinare. Kërkesa jonë e vetme ka qenë zbatimi i rekomandimeve. PD hoqi dorë nga të gjitha kërkesat e veta, pranoi që zgjedhjet e Qershorit 2017 kanë qenë të lira dhe demokratike”.

Sa i përket votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Balla u shpreh se PS-ja nuk ka hequr dorë. Por sipas tij, kjo gjë është në varësi të KQZ-së. Me Kodin e ri Zgjedhor, Balla tha se, KQZ-së i jepen çelësat për të kryer këtë proces.

“Sa i përket votës së emigrantëve dua tju them se PS asnjëherë nuk ka hequr dorë nga kjo. Me ndryshimet e Kodit do të hapen çelësat për ti thënë KQZ që të fillojë planifikimi për regjistrimin e shqiptarëve jashtë vendit. Kodi hap çelësat, pastaj KQZ e re do të implementohet në kohë dhe nëse do të ishte koha do të kishim mundësinë që të bëhej. Ky është hap në garantimin e votës së atyre që ua kemi borxh”.

Taulant Balla iu përgjigj pyetjes së gazetarëve në lidhje me zgjedhjet e ardhshme vendore dhe të përgjithshme. Sa i përket të parave ai u shpreh se do të realizohen në vitin 2023. Për bashkitë, të cilave ligji i dekriminalizimit i ka lënë pa një kryetar, Balla tha se kjo ka qenë kompetencë e Presidentit Meta, të cilën ai nuk e ka realizuar. Ndërkohë për zgjedhjet e përgjithshme i sugjeroi që tashmë një datë Presidentit të Republikës.

“Tani që Basha nuk di sesi të mbajë Xhelal Mziun me gajret dhe synon që t’i gënjejë përsëri kjo është çështje e brendshme e PD. Zgjedhjet vendore sipas Kushtetutës duhet të jenë me ndryshimet e reja në Kod, më 15 Prill-15 Maj të 2023. Sa i përket zgjedhjeve në Shkodër, Durrës, Vorë edhe Rrogozhinës kjo është kompetencë e Presidentit që duhet ta kishte ushtruar këtë kompetencë. Zgjedhjet e përgjithshme sipas ndryshimeve të reja besoj që 9 Maj i 2021 është një datë shumë kuptimplotë për zgjedhjet. Është dita e Europës, por edhe e fitores mbi fashizmin. Mendoj që Presidenti ta shqyrtojë këtë datë dhe ne socialistët jemi dakord që dita e Europës të jetë një ditë ku të shprehet vullneti i lirë”.

Balla kërkoi që të pritej opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias, për dy çështje të rëndësishme, si paketa antishpifje, por edhe ajo e emërimit në Gjykatë Kushtetuese. Sa i përket kandidaturës në KLSH, Balla u shpreh se do të shqyrtohet procedura dhe nëse është në rregull atëherë do të miratohet./tvklan.al






Të ngjashme