Balotazhi i PD, Besnik Mustafaj gati për garën me Bamir Topin – (26 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Besnik Mustafaji dhe Bamir Topi, dy më të votuarit e Konventës së Partisë Demokratike të Tiranës, për kandidimin për postin e kryebashkiakut, do të vazhdojnë garën përballë njëri-tjetrit. Të hënën pasdite, aktivi i Tiranës do të votojë edhe njëherë, jo më për pesë emra, por tashmë për dy të përzgjedhurit.
Ndonëse Besnik Mustafaji siguroi 299 vota dhe Bamir Topi 121, ky i fundit ka deklaruar sot se nuk tërhiqet nga gara, por do të presë rezultatet e balotazhit. Ndërsa Besnik Mustafaji ndjehet i qetë, pasi katër vota e kanë ndarë atë nga fitorja.
Besnik Mustafaj:- “Praktikisht unë jam fituesi i garës së PD, nëse gjykojmë nga rezultati”.
Gazetarja:- Mendoni se balotazhi do të jetë formale dhe do të ishte më mirë për kandidatin tjetër të tërhiqej nga kjo garë?
Besnik Mustafaj:- “Balotazhi nuk është asnjëherë formal është një akt demokratik i rëndësishëm, në zbatim të të gjitha procedurave të një zgjedhje. Kështu që unë në asnjë moment nuk e kam kaluar nëpër mend se konkurrenti im duhet të tërhiqet. Ne duhet të shohim mbështetjen që duhet të kemi brenda partisë”.
Votat e demokratëve të Tiranës, u shpërndanë mes pesë kandidatëve, ku avokati Spartak Ngjela mori 104 vota, Buron Kaceli 48 vota dhe Emin Riza 31 vota. Shanset më të mëdha për fitoren në balotazh duket se i ka Besnik Mustafaji, i cili siguroi 2.5 herë më shumë vota se konkurrenti i tij. Vetëm ndonjë surprizë nga votat e të skualifikuarve mund të përmbysë renditjen e djeshme, pra të eleminojë Mustafajin, i cili ka edhe mbështetjen e Berishës./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego