“Banda e rrezikshme shqiptare e drogës më kërcënoi familjen”


“Banda e rrezikshme shqiptare e drogës më kërcënoi familjen”

11:07 26/06/2018

Mathin Durrai studionte për financë në Universitetin e Wolverhampton, në Britani dhe bënte një punë me kohë të pjesshme, kur u kap me kanabis në makinë, në Devon. Vlera e drogës ishte rreth 40 mijë paund.

21-vjeçari me origjinë nga Afganistani pretendoi se ishte detyruar të transportonte drogë në të paktën 32 raste, nga një bandë e rrezikshme shqiptare, që i kishte kërcënuar atij familjen.

Por juria në Gjykatën e Exeter u njoh me disa pamje të kapura nga kamerat e sigurisë, ku Durrani shfaqej duke qeshur krah anëtarëve të tjerë të bandës, ndërkohë që kishin ndaluar për të blerë diçka për të ngrënë.

Të hënën Durrani u dënua me 4 vjet burg, ndërsa banda u dënua me një total prej 21 vjetësh burg, për rrolin e tyre në rrjetin e shpërndarjes së kanabisit.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja "DailyMail", 21-vjeçari pretendoi se paratë në bankë i kishte fituar duke punuar. Por prokurorët thanë se Durrani ishte anëtar i rëndësishëm i kësaj bande dhe ishte paguar për të udhëtuar në jug në 32 raste, nga shtëpia e tij në Wolverhampton në Exeter.

Durrani pretendonte se ishte detyruar për të transportuar drogën nga banda e shqiptarëve, në të kundërtën ata do t'i bënin keq familjes së tij.

Ai tregoi për një takim me një burrë të quajtur Kosrat Ali, i cili i kishte dhënë 4 mijë paund borxh për të blerë një makinë. Durrani tha se kishin rënë dakord se do t'ia kthente paratë me këste, por pas disa javësh Ali e telefonoi duke i kërkuar menjëherë paratë.

Kur 21-vjeçari refuzoi, ai tha se Ali dhe shqiptari Roland Toska i kërcënuan familjen. Ai madje tha se sa herë që ishte përpjekur t'i jepte para mbrapsht, ata i kishin refuzuar.

Durrani tha se në fund u detyra që të pranonte kërkesën e tyre dhe u takua me ta në Prill të 2017-s. Të tre sëbashku udhëtuan drejt jugut me dy makina, për të shpërndarë drogë tek kriminelët lokalë.

Pavarësisht pretendimeve dhe historisë së 21-vjeçarit, pamjet nga kamerat e sigurisë duke qeshur e i shoqëruar me anëtarët e tjerë të bandës, bënë që juria ta dënonte atë sëbashku me të tjerët.

/tvklan.al






Të ngjashme