Banka e Shqipërisë e shqetësuar për nivelin e inflacionit
Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni i ulët është sinjal i shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë. Në raportin e politikës monetare të këtij tre-mujori, banka shpreh shqetësimin se inflacioni mesatar i vitit që shkoi rezlutoi 1.8%, ndërsa edhe përgjatë 2018-s, ai nuk do të arrijë sërish objektivin prej 3%, por do të mbetet në nivelin 2.2%.
Një tjetër shkak që merr në analizë Banka është edhe mënyra se si ka ndikuar norma e papunësisë në uljen e tij, dhe si rrjedhojë ngrirjen e kërkesës konsumatore. Përveç kësaj, një faktor i dytë është edhe mbajtja e pandryshuar e pagave në sektorin privat, duke frenuar konsumin.
Edhe pse ka ulur për disa vite rresht normën bazë të interesit, niveli i infacionit mbetet i ulët pikërisht nga këta faktorë, shprehet Banka e Shqipërisë. Së fundi, kontribut në rënien e tij kanë patur edhe çmimet e banesave, të cilat për kryeqytetin janë ulur me 1.4%.
Për ekonomitë në zhvillim, që të ketë një rritje ekonomike graduale, vlerësohet që niveli i inflacionit të jetë 3%, tregues i cili reflekton kërkesën pozitive konsumatore dhe përmirësimin e nivelit të jetesës.
Tv Klan