Banka e Shqipërisë hap Javën e Parasë
Sa e rëndësishme është për të rinjtë që të njohin paranë? Jo të gjithë mund të dinë vlerën e saj por edhe të investimeve. Banka e Shqipërisë organizon çdo vit Javën e Parasë, aktiviteti është mbarëbotëror dhe zhvilliohet nga 135 shtete.
Çelja e javës së parasë këtë vit, ishte një ditë e rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, pasi mbushet një dekadë nga kontributi që ajo jep në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit për edukimin financiar në vend. Guvernatori Gent Sejko tha se këtë vit jo pa qëllim është zgjedhur motoja “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh”, për të treguar rëndësinë e parasë si mjet i domosdoshëm për të arritur mirëqënien.
“Këtë vit, motoja e zgjedhur “Paraja: Ç’të mbjellësh, do të korrësh”, thekson më shumë se çdo gjë tjetër rëndësinë e çështjeve të parasë si mjet i domosdoshëm për të arritur dhe ruajtur mirëqenien. Përmes aktiviteteve që do të na shoqërojnë gjatë gjithë kësaj jave, kemi kërkuar të tërheqim edhe njëherë vëmendjen e të rinjve dhe fëmijëve mbi domethënien e financave personale dhe ndikimin e vendimeve të mirëmenduara në suksesin personal të gjithsecilit e të shoqërisë si një e tërë”
, u shpreh Gent Sejko.
Tre çmime për nxënës e studentë u dhanë nga Shoqata e Bankave dhe Banka e Shqipërisë për punimet më të mira kreative për edukimin financiar.
Në aktivitet morën pjesë 55 shkolla 9-vjeçare, 14 shkolla të mesme dhe 8 universitete, me mbi 1000 nxënës e studentë të 14 qyteteve të ndryshme. Java e parasë do të shoqërohet me një axhendë të ngjeshur eventesh, leksionesh të hapura dhe konkurse me të rinj, për t’i shtyrë ata të mësojnë më shumë rreth parasë si mjet i vlefshëm financiar.
Tv Klan