Bankat po financojnë tregtinë dhe turizmin
Rritet kredia e re për gjysmën e parë të vitit
Afërsisht gjysma e kredisë që sektori bankar ka dhënë përgjatë muajve të fundit është orientuar kryesisht në bizneset e tregtisë, hoteleve dhe restoranteve.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë për muajin Qershor, 45% e huasë ndaj sektorit privat ka shkuar për këto grupe, që kanë si fokus kryesor turizmin, ndërsa kredia për bujqësinë pësoi një rënie me -9%, dhe financimi i ndërtimit u rrit vetëm 6.5%, duke ngadalësuar ritmin në tremujorin e dytë të vitit.
Struktura e portofolit për kredinë që po japin bankat gjatë këtyre viteve ka ndryshuar. Nëse në vitin 2008 ndërtimi zinte 22.5% të peshës së kredisë, sot mban vetëm 14%.
Bankat janë orientuar po ashtu edhe drejt sektorit të industrisë. Aktualisht koorporatat në këtë grup kanë 26% të kredisë në banka, nga 23% që zinte zëri i tyre në fillim të dekadës.
Banka e Shqipërisë raporton se kushtet për miratimin e një huaje për biznesin përgjithësisht mbeten të shtrënguara, por normat mesatare të interesit për kreditë në lekë drejt kësaj kategorie kanë rënë në 6.4%.
Besimi i sektorit bankar ka ndryshuar në këtë periudhë, duke investuar më shumë në biznese me fokus turizmin dhe industrinë, e më pak te kategoritë e tjera. Rritja e kredisë për sipërmarrjen private ka qenë një lajm i mirë në 6 muajt e parë të vitit, pas 5 vjetësh që kredia e re shfaqi vlera negative rritjeje.
Tv Klan