Basha apel mjekëve: Jeta e shqiptarëve në dorën tuaj


Basha apel mjekëve: Jeta e shqiptarëve në dorën tuaj

14:30 09/03/2020

Kreu i partisë Demokratike i është drejtuar personelit mjekësorë me një mesazh pas konfirmimit të dy rasteve të prekur nga koronavirus në Shqipëri.

“Sot u konfirmuan edhe zyrtarisht dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi. Duke u uruar atyre shërim sa më të shpejtë, dua t’ju drejtohem me këtë mesazh. Së pari, personelit shëndetësor, të nderuar mjekë dhe infermierë. Shëndeti i shqiptarëve është në duart tuaja. Sytë, veshët dhe mendjet e njerëzve, si asnjëherë, janë të fokusuara te ju.”, u shpreh Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediat.

Kreu i opozitës tha se “qeveritë ikin e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, ata që keni në dorë jetën e gjithsecilit prej nesh, jeni ju”.

“Ne kemi një nga stafet më të specializuara mjekësore për të përballuar çdo situatë dhe ajo që duhet t’u japim juve sot, janë mjetet dhe fondet e nevojshme mjekësore për ta përballuar këtë gjendje me sukses”.

Një tjetër mesazh Basha e ka dhënë edhe për qytetarët, duke veçuar ata që kthehen në Shqipëri nga vendet e infektuara.

“Të gjithë ju që vini nga Italia e Veriut, por edhe zona të tjera të prekura nga koronavirusi, drejtohuni për ekzaminime, nëse keni simptoma gripi dhe shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afërmit për një periudhë 2 javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi për të moshuarit. Sot nuk është koha për panik, por për kujdes maksimal”.

Ne do të jemi në ndjekje të situatës hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdo qytetari për çdo informacion shtesë që do të kenë.

Dy javë më parë, nga kjo foltore i kam bërë thirrje qeverisë të marrë masa për t’u përgatitur për përballimin e situatës.

1.            Fondet e mjaftueshme

2.            Mobilizimi maksimal

3.            Transparenca

Këto janë tre komponentë të rëndësishëm politikë, për të cilët nuk duhet humbur kohë.

Dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë të shëndetësisë do të jenë në shërbimin e çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës, i ngritur pranë PD, bashkë me ekspertët e opozitës, do të vazhdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithçka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë sa më afër njerëzve dhe për të tejkaluar këtë situatë me pasoja sa më të lehta”. /tvklan.al






Të ngjashme