Basha: Rama një hap para rrëzimit
Regjim që mbahet në këmbë përmes dhunës, terrorit dhe mashtrimit. Kështu e cilësoi kreu i demokratëve Lulzim Basha atë që ndodhi jashtë dhe brenda ambienteve të Gjykatës së Tiranës, menjëherë pasi togat e zeza dhanë vendimin për 23 qytetarët e arrestuar pas protestës në Rrugën e Kombit.
“Ka privatizuar Policinë e Shtetit, që sot bëri shtetrrethim në Tiranë. Ka privatizuar prokurorinë që nuk guxoi të çonte një dhunues të protestuesve para Gjykatës. Ka privatizuar gjykatën që sot dhunoi deputetët e opozitës, në shkelje flagrante të ligjit, sepse nuk donte që deputetët e opozitës dhe shqiptarët, përmes tyre, të dëgjonin dëshmitë tronditëse të qytetarëve të pafajshëm të Kukësit, të grabitur në mes të natës sepse protestuan për bukën e gojës. Burgos qytetarët që ngrihen për të drejtat e tyre dhe lë të lirë Sajmir Tahirin, lë të lirë Vangjush Dakon, le të lirë Qazim Sejdinin”.
Qytetarët i garantoi se opozita do të jetë në mbështetje të protestave të tyre, ndërsa Kryeministrit i dha një mesazh.
“Regjimet që përdorin dhunën dhe forcën kundër njerëzve, janë vetëm një hap para rrëzimit. Popullin shqiptar nuk e nënshtron dot. Do të jemi nesër në protestat e njoftuara nga qytetarët, nga sipërmarrësit e vegjël, nga fermerët, nga qytetarët që janë larguar nga ndihma ekonomike, në Bradashesh, në Milot, në Vorë dhe në Çermë”.
Shqetësimin për situatën pas arrestimeve në Kukës Lulzim Basha e ndau edhe me raportuesin për Shqipërinë në parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Kryetari i Partisë rikonfirmoi qëndrimin e opozitës për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Sipas tij nga një vendim negativ për Shqipërinë përfiton vetëm sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit.
Tv Klan