Basha: Policia dështoi në Shkodër
Rezultatet e operacionit të Policisë në Shkodër, Lulzim Basha i komentoi nga Elbasani, ku opozita zhvendosi takimin e saj duke bojkotuar sërish punimet e Parlamentit.
“E gjitha është shfaqje propagandistike. Kështu ishte në Elbasan para një viti. Asnjë prej Çapjave që goditën policinë nuk është ndjekur penalisht dhe të njtin fat do ketë edhe operacioni propagandistik në Shkodër. Pasi propaganduan me makinat e blinduara të familjeve kriminale të Shkodrës, do presin skandalin e radhës dhe do lënë të qetë krimin”.
Si dëshmi të lidhjeve të mazhorancës me krimin në këtë qark solli zvarritjet ne Rrugën e Elbasanit, duke vënë në shënjestër të akuzave për aferë kriminale kreun e grupit parlamentar të socialistëve.
“5 vjet më vonë kjo rrugë s’ka përfunduar ndërkohë, që ka gëlltitur për shumë pak kilometra të përfunduar shumë më tepër para sepse ajo që u kontraktua sepse nënkontraktoi i kësaj rruge është Edmond Bego, miku i Ballës, anëtari i bandës së Lunshjes”.
Fakte tronditëse paralajmëroi për çështjen Xibraka, që sipas tij implikojnë në trafikun e drogës familjarë të Kryeministrit.
“Faktet e përfshirjes së vëllait të Ramës janë fshehur në mënyrë kriminale nga Tahiri dhe fshihen ende për shkak të Xhafajt dhe Ardi Veliut dhe kjo është arsyeja pse sabotohet komisioni hetimor, dhe kjo është arsyeja pse s’ka çuar asnjë dokument sepse faktet që do dalin do zbulojnë të dhëna tronditese”.
Vetingu në politikë, pas atij në radhët e gjyqësorit dhe policisë, është edhe objektivi kryesor i opozitës në platformën e prezantuar nga Basha.
“Dekriminalizim i plotë përmes vettingut duke nisur nga politikanët”.
Kjo kërkesë e demokratëve pritet të depozitohet të premten si amendament kushtetues në Kuvend. Sipas opozitës, vetingut duhet t’i nënshtrohen nga Kryeministri, ministrat, deputetët, krerët e bashkive, drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të lartë publikë.
Tv Klan