Basha fton Ramën për vetting-un: Ta amendojmë tani ligjin
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili fajësoi opozitën se po bllokon hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Arsyet e murit që mban të izoluar rrugëtimin evropian të vendit Basha tha se i janë bërë të ditura atij si dhe kreut të qeverisë nga liderët evropianë.
Lulzim Basha, Kryetar i PD-së: Muri që mban të izoluar Shqipërinë janë krimi, korrusioni, mungesa e zgjedhjeve të lira. Liderët europiane kane këto shqetësime, kjo i është bërë e qartë Rames nga çdo politikan dhe mua.
Duke e sfiduar kryeministrin Rama lidhur me ligjin e vetting-ut, Basha e ftoi kreun e qeverisë ta amendojë pa patur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Zgjidhja sipas tij gjendet tek ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensus në 22 korrik nga parlamenti.
Këtë deklaratë Basha e bëri në një dalje për mediat, ku theksoi se Partia Demokratike mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë, e ku zgjedhjet e lira e të ndershme do të jenë beteja e opozitës./ TV KLAN