Basha i përgjigjet Ramës: Zhvate qytetarët për t’u pasuruar
Pas akuzave ndaj opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje Kryeministrit Rama për futjen e TVSH-së ndaj biznesit të vogël.
Në një postim në Facebook, Basha thotë se Kryeministri duhet t’u japë llogari sipërmarrësve të vegjël dhe qytetarëve se sa fonde janë dhënë nga buxheti i shtetit për oligarkët. Kryedemokrati thotë se Rama është pasuruar në kurriz të qytetarëve.
“Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit.
Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit.
Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”, s
hkruan Basha në Facebook.
Kryeministri Rama sulmoi më herët opozitën, duke thënë se po mbron informalitetin dhe se asnjë biznes tashmë nuk do të jetë pa TVSH.
/tvklan.al