Basha: Ja masat për përballimin e emergjencës


Basha: Ja masat për përballimin e emergjencës

18:05 06/01/2010

Kur gjendja e e emergjencës civile si shkak i përmbytjeve në qarqet Shkodër dhe Lezhë është ende kërcënuese për banorët e zonës, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka mbledhur Komitetin Ndërministror për përcaktimin e masave të emergjencës dhe ngritjen e në qendre operacionale për të mbajtur nën kontroll situatën.     

 “Fillimisht, dëshiroj të marr  miratimin dhe mbështetjen tuaj për ngritjen  dhe funksionimin që sot të një qendre të bashkuar operacionale të Komitetit Ndërministror në Ministrinë e Brendshme, ku të ketë përfaqësues 24 orë në 24 nga të gjitha ministritë e linjës, si dhe institucionet e përfshira në përballimin e kësaj situate emergjente. Për veçorinë që paraqet situata e krijuar dhe zhvillimet e saj të mundshme, del e nevojshme bashkëpunimi i ngushtë i anëtarëve të Komitetit Ndërministror deri në përfundimin e plotë të kësaj situate dhe riaftësimin e saj. Gjithashtu për monitorimin e situatës në terren dhe veprimet operacionale efikase duhet që ne si anëtar të këtij Komiteti të jemi prezent në terren çdo ditë”, tha Basha.

Ministri Basha, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ndërministror, bëri një vlerësim të situatës në njësitë vendore të zonës së Nënshkodrës, ku rezultojnë gjithsej 4 816 hektarë tokë të përmbytura.

Deri tani janë evakuuar 527 familje: 60 familje dhe 40 persona të komunitetit rom në Bashkinë e Shkodrës, 30 familje në Komunën Ana e Malit; 430 familje bashkë me gjënë e gjallë në Komunën Dajç dhe 7 familje në Bushat, ndërsa evakuimi vazhdon ende.

Në prezencën e ujit janë plot 870 shtëpi, ndër to 140 në Bashkinë e Shkodrës, 600 në Komunën Dajç dhe 130 në Komunen Ana e Malit.

Në rast të rritjes së shkarkimeve masive në kaskadën e Drinit, ministri Basha bën me dije se duhet të evakuohen  rreth 2200 familje me rreth 8800 banorë, për të cilët kërkohen rreth 35 mjete transporti për të bërë 25 rruge vajtje-ardhje transporti për evakuimin e komunitetit për zonën e Nënshkodrës.

Sipas Ministrit Basha, po merren masat për të përfunduar riparimin e argjinaturës në Komunën Dajç, për ekzaminimin konkretisht në terren dhe me ambulanca në fshatrat e Komunave Ana e Malit dhe Dajç, për përgatitjen e listës së nevojave për ushqime ne fshatrat  Ashtë, Bushat, Ajasem, Bahçallek, Livadë të Bashkisë Shkodër, Komuna Ana e Malit dhe Dajç. Ndërsa u propozua të shpallen si zona evakuimi komunat Dajç dhe Ana e Malit.  

Tv Klan






Të ngjashme