Basha kërkon mbështetje për hapjen e negociatave nga Berlini


Basha kërkon mbështetje për hapjen e negociatave nga Berlini

16:45 16/04/2018

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë një deklaratë nga Berlini lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. I ndodhur në Bundestag-un gjerman me ekspertët e politikës së Jashtme dhe Sigurisë nga zyra e kancelares Merkel, Basha tha se të gjitha diskutimet dhe takimet kanë shkuar shumë mirë dhe opozita ka kërkuar mbështetjen e grupit të CDU-CSU për hapjen e negociatave për Shëipërinë.

“Sot kemi kërkuar mbështeten e grupit CDU-CSU si një akt për të ndihmuar shqiptarët për ëndrrën e anëtarësimit  në BE, por edhe një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret kundër krimit të organizuar, reformës në administratën publike, respektimi i të drejtave publike, të nëpërkëmbura, siç e tregoi dhe rasti i Kukësit. Të gjitha këto janë shqetësime të thella të partnerëve tanë, janë arsye të mëdha për të dyshuar”.

Lideri i opozitës  tha se i ka garantuar ndërkombëtarëve se vijon procesi për të çmontuar atë që e quan narkoshtet.

“Ndaj këtu në emër të opozitës, të Partisë Demokratike, i kemi garantuar që ta shohim këtë si një proces, i cili mundëson vazhdimin e betejës për të çmontuar krimin e organizuar, për të çmontuar narkoshtetin si një problem jetik në Shqipëri, për të vendosur në veçanti politikanët e korruptuar para drejtësisë, për të çliruar ekonominë nga monopolet dhe oligarkia për të rikthyer konkurrencën si një parakusht i zhvillimit ekonomi që krijon vende punë. Përmes hapjes së negociatave kemi kërkuar që të fuqizojmë betejën tonë si opozitë për një Shqipëri të çliruar nga padrejtësia, për ta çliruar pushtetin nga një dorë e vetme dhe nga korrupsion”

, u shpreh Basha.

/tvklan.al

 






Të ngjashme