Basha: Kush ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas raportit të “Reporterëve pa Kufij”. Sipas Bashës, Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë poshtë në indeksin e lirisë së medias.
Ai rendit disa arsye për këtë. Nismat e qeverisë për të censuruar fjalën e lirë, presioni ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike janë disa nga arsyet sipas kryeopozitarit.
“Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive, ai përditë largon gjithnjë dhe më shumë vendin dhe shqiptarët nga standardet europiane.
Censura, dhuna dhe autocensura në një vend që pret për anëtarësim në Bashkimin Europian, i shtohen panoramës së hidhur të krimit dhe korrupsionit që kjo qeveri servir në tryezën e ligjvënësve europianë”, shkruan Basha në Facebook./tvklan.al