Basha: Ligjet e Reformës kalojnë vetëm sipas Kushtetutës


Basha: Ligjet e Reformës kalojnë vetëm sipas Kushtetutës

12:07 28/07/2016

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ftuar sërish Kryeministrin Rama t’i përmbahet konsensusit edhe për miratimin e 7 ligjeve për Reformën në Drejtësi. Në një deklaratë për mediat, Basha e akuzon se po krijon një vatër të re konflikti me opozitën, ndërsa i kujton se mbetet garant i zbatimit të ligjit themeltar të shtetit.

“Nuk kaloi shumë nga marrëveshja historike në parlament për Reformën në Drejtësi dhe Edi Rama shfaqet tërë entuziazëm sikur ka zbuluar një vatër të re konflikti. Ç’është ky njeri që e zë konsensusi? Që e sëmur rënia dakord me opozitën për interesat e mëdha të vendit dhe vrapon të shpikë armiqësi të reja? Kontrata më e madhe nën të cilën jemi, është Kushtetuta. Kushtetuta ka përcaktuar afate për kalimin e ligjeve. Dhe asgjë e drejtë e në emër të drejtësisë, s’mund të bëhet duke shkelur Kushtetutën”.

I gjithë procesi për reformimin e drejtësisë thotë Basha ka vetëm një lider, që është konsensusin dhe jo politikanë e individë të veçantë. Ai shprehet se ekspertët e opozitës po shqyrtojnë ligjin e vetingut, që u ka mbërritur deputetëve të opozitës mbrëmjen e martës.

“Konsensusi është rruga ku do të kalojnë ligjet. Opozita s’ka asnjë minutë kohë për të harxhuar me debate shterpë e as t’i përgjigjet llogoreve të reja që gërmon Edi Rama”.

Basha thotë se Kryeministri Rama, përmes shfaqeve për Reformën në Drejtësi kërkon të fshehë gjendjen e përkeqësuar ekonomike dhe të kriminalitetit e korrupsionit.

Tv Klan






Të ngjashme