Basha mbron Ademin: Rama, ky palo burrë çmon gratë që i nënshtrohen


Basha mbron Ademin: Rama, ky palo burrë çmon gratë që i nënshtrohen

20:33 15/05/2017

Tiranë, 15 Maj 2017 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave që Kryeministri Edi Rama bëri në Shkodër në drejtim të Kryebashkiakes së këtij qyteti, Voltana Ademi. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Basha shprehet se Rama i tregoi sot qartë të rinjve llumin e tranzicionit që është ende prezent në Shqipëri.

“Çdo i ri, kur thirret në një takim nga kryeministri i vendit, me të drejtë pret të dëgjojë ide, argumenta, vizione, projekte që do ta preknin jetën e tij, të ardhmen e tij. 

Ndërsa sot, Rama u tregoi qartazi të rinjve në Shkodër, se cfarë nuk duhet të jetë politika. U tregoi llumin e tranzicionit që është ende prezent në Shqipëri 27 vite pas nisjes së pluralizimit. 

E nisi dhe e mbaroi takimin duke fyer rëndë një kryetare bashkie, një shkodrane, një qytetare, një nënë, një grua. 

Paturpësisht dhe në sy të disa 18 vjeçarëve, të cilët i ka ndëshkuar duke mos dhënë asnjë fond për qytetin e tyre vetëm sepse shkodranët nuk e kanë votuar”.

Sipas Bashës, sulmet e përsëritura të Kryeministrit ndaj Ademit nxjerrin në pah një të vërtetë.

“Sulmet e përsëritura të Ramës ndaj zonjës Voltana Ademi, nxjerrin në pah një të vërtetë. Ky palo burrë, çmon gratë që i nënshtrohen, që i fyen, që i sundon, që i binden, që i nëpërkëmb. Ose gratë me të cilat ndan biznesin, aferat, koncesionet dhe bankat private. 

Një zonjë që e kundërshton, që nuk i nënshtrohet, që reagon me dinjitet, ai e ka frikë ndaj dhe e sulmon si frikacak. 

Ky është Edi Rama. Me çdo Vilmanush e çdo Linditë që bën lekë me të, që e pranon si shef, që ja përtyp fyerjet dhe fodullëkun, ai e ka në rregull. Por me çdo grua që mendon ndryshe, që ka krenari dhe forcë për të mos u përkulur, atë e kap një frikë e madhe që as nuk e fsheh dot”.

“Ky është modeli i shpifur politik i republikës së vjetër që po zhduket”,

thekson në deklaratën e tij Basha. 

Duke folur në një takim me të rinjtë votues në Shkodër, Kryeministri Edi Rama tha se Ademi fle gjumë dhe se zgjohet vetëm, kur ai viziton Shkodrën./tvklan.al






Të ngjashme