Basha: Nuk pranojmë as qeveri teknike kukull


Basha: Nuk pranojmë as qeveri teknike kukull

15:26 31/03/2017

Kreu i opozitës Lulzim Basha është i bindur se java që vjen pritet të sjellë surpriza në favor të fitores së kauzës së opozitës për zgjedhjet e lira e të ndershme.  I sapo kthyer nga samiti i Maltës, punimet e të cilit u finalizuan me një rezolutë të përbashkët të Partisë Popullore Europiane, Basha e pa të udhës të përdorë një fjalor të pazakontë ndaj mediave, ndërsa deklaroi se nuk do të pranojë një qeveri teknike kukull.

Basha: “Pasi kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç ju do prapanica fjalët e aleatëve tanë dhe jo e tyrja por e tij, se nuk ua mban t’i thonë jo se i ka kapur për fyti, sot dua t’ju them: Nuk ka asnjë shans, zero shans që në të pranojmë një qeveri teknike kukull. Nuk kërkojmë dhe as pranojmë një qeveri teknike fasadë çastin e fundit për t’u hedhur hi sy shqiptarëve. Javë vendimtare. Kjo është java vendimtare e fitores.”

Kryeministrit i kujtoi që në vend të leximit mbrapsht të rezolutës së PPE-së duhet të ndihet i shqetësuar për fundin që sipas tij i kanë servirur partnerët ndërkombëtarë të cilët siç tha Basha tashmë janë njohur për lidhjet e kreut të qeverisë me bandat e krimit e narkotrafikut.

Basha: “Të është vënë kryqi në Francë në gjoks, në Maltë ta kanë vënë në kokë të gjitha vendet anëtare të BE.”

Mbështetjen në këtë betejë Basha tha se e mori edhe gjatë takimit që pati të enjten me kreun e Europolit, Rob Wainright, të cilit tha se i kishte kërkuar ndihmë për zbulimin e të kaluarës së politikanëve me rekorde kriminale dhe ndjekjen e pasurive të fshehura.

Basha: “Ne s’do paguajmë miliona euro kompani private të shtrenjta për të gjurmuar ku keni futur paratë e vjedhura dhe të gjobës, me Europolin do ju gjurmojmë deri në ishujt më të largët dhe s’ka vrimë miu ku ti fshihni paratë e drogës, rrjeta evropiane dhe amerikane po tendoset oqean më oqean, peshq të mëdhenj e peshq të vegjël bëhuni gati paratë e shqiptarëve do t’i dorëzoni një më një.”

Dhe sa për ftesën e ripërsëritur për dialog , kryeministrit Rama i rezervoi këtë përgjigje.

Basha: “Bëhu gati se me të vërtetë nuk ke parë gjë akoma. Si the? ‘Negociata me dy kushte, Jo qeveri teknike dhe zgjedhjet mbahen me 18 qershor?!’ Po qeveri teknike dhe zgjedhjet vetëm të lira dhe të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit, vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet. Këto janë kushtet e sovranit, vëri gishtin kokës ose do të pendohesh shumë shpejt.”

Tv Klan






Të ngjashme