Basha: PD e hapur për këdo që refuzon krimin e blerjen e votave


Basha: PD e hapur për këdo që refuzon krimin e blerjen e votave

13:56 24/10/2016

Nga Kamza e Paskuqani, ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri thirrje për bashkim dhe aleancë me këdo që është kundër krimit, drogës dhe blerjes së votave.

“Kushdo në këtë familje politike që kërkon të japë kontributin e tij apo të saj në këtë përballje me këtë të keqe të madhe që ka kapur Paskuqanin dhe Shqipërinë prej fyti dhe që ka fytyrën, zërin, formën dhe bëmat e Edi Ramës nuk mund dhe nuk duhet të mungojë në këtë bashkim. Hapja për të përfshirë në familjen politike këdo që dëshiron të jetë pjesë e kësaj beteje dhe që ndan me ne të gjitha vlerat tona si demokratë. Në qoftë se Edi Rama ka paudhësi të bashkojë kriminelët më në zë rreth tavolinës së tij, atëherë si mund të kemi në skrupuj të bashkojmë në një aleancë sa më të madhe këdo që refuzon krimin, këdo që refuzon inkriminim, këdo që refuzon drogën, këdo që refuzon shit-blerjen e votës dhe asgjësimin e procesit politik, asgjësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.”

Për Lulzim Bashën, largimi i oligarkisë dhe sjellja e qytetarit në pushtet është detyrë kryesore e Partisë Demokratike. Garancia për ta bërë këtë, u shpreh Basha, është vota e lirë dhe e ndershme e qytetarëve, përmes së cilës kreu i demokratëve tha se do t’i jepet fund krimit e drogës.

“Ne duhet të jemi garantët e të drejtave të këtyre njerëzve. Ne do të shporrim një oligarki të lidhur me krimin, do të sjellim qytetarin në pushtet. Si do ta sjellim qytetarin në pushtet?! Duke kufizuar pushtetin, duke fuqizuar zgjedhësin. Ne duhet të mësohemi me votën si instrument në vendimmarrje. Vota e lirë është garancia për të nesërmen.”

Kreu i demokratëve tha se vetëm vota e lirë do t’i kthejë shqiptarëve të drejtat e mohura në tre vjet qeverisje të Edi Ramës.

Tv Klan






Të ngjashme