Basha: Për inceneratorin e Tiranës, Rama do sakrifikojë kryebashkiaken e Durrësit
Vendosjen e maskës Lulzim Basha e sheh si detyrim në një kohë kur rastet e infektimeve me Covid sa vijnë e shtohen, por ajo që e shqetëson thotë se është fshehja reale e problemeve dhe mos marrja e masave nga ana e qeverisë për bluzat e bardha dhe qytetarët.
“Nxirrjani palaços për masat ekonomike, përballeni palaçon me premtimet që u ka bërë shqiptarëve kur thotë që po bëjmë gati paketën e tretë, kur vendet e tjera bëjnë të 4. Është kriminale mënyra si sillet me shqiptarët dhe me mjekët. Është kriminale. Kjo nuk është papërgjegjshmëri por krim”.”
Akuzat i vijoi sërish në adresë të Kryeministrit kur tha se i vetmi destinacion i parave të shqiptarëve për Kryeministrin janë koncensionet e klientëve të qeverisë, duke sjellë në vëmendje çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Kryedemokrati foli për një plan të mirëmenduar nga ana e Kryeministrit ku paralajmëroi largimin e kryetares në detyrë të Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe zëvendësimin e saj me atë të deputetes Milva Ekonomi.
“Për inceneratorët po bëhet gati ta shkarkojë për herë të pestë apo të gjashtë kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Se nuk pranon që s’ia dimë emrin se s’kemi si t’ia dimë emrin se i ndërrojnë më shpesh se sa shefat e Kadastrës së Vlorës, nuk pranon të firmosë një aferë qindra milionëshe për të çuar lekë tek inceneratori i Tiranës. Dhe po bëjnë gati Milva Ekonomin që të japë dorëheqjen nga deputete, e të komandohet atje që të firmosi shkresën e të vjedhin paratë prapë me inceneratorët. Këtu e ka mendjen ai, mos kujtoni se e ka mendjen diku tjetër. Ky është plani. A do ta ndryshojë pas denoncimit që i bëra unë apo jo, mbetet për t’u parë. Plani është: Milva Ekonomi të japë dorëheqjen nga deputete, të komandohet nënkryetare, të iki kjo nënkryetarja e 3, e 4 apo e 5-të atje dhe të firmosi shkresën për të çuar të paktën 100 milionë incenerarorëve”.
Pa ironizuar nuk la as premtimet e bëra nga kreu i qeverisë, përfshi këtu edhe heqjen e akcizës së karburantit për bujqësinë.
“Ky është gjel që kakaris si pulë e nuk bën vezë por glasa”.
Teksa e ngarkoi sërish me përgjegjësi penale Kryeministrin Rama, Basha tha se drejtësia duhet të kishte hetuar atë dhe ministren e Shëndetësisë për tenderat dhe koncensionet korruptive të dhëna gjatë kohës së pandemisë.
Tv Klan