Basha: Përgjimet, krim shtetëror. Tahiri: Nuk ka pajisje përgjimi në polici
Për Partinë Demokratike nuk ka dyshim që polica po përgjon zyrtare, gjyqtare, opozitën, diplomatë, drejtues mediash e gazetarë. Kryetari Lulzim Basha tha se ky përbën një krim shtetëror.
Lulzim Basha, kryetar i PD-së:
“Kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale. Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës – jo thjesht të një shteti brenda shtetit, por të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e Republikës.”
Por Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mohoi ekzistencën e një pajisjeje përgjimi.
Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm :
“Në policinë e Shtetit nuk ka asnjë pajisje përgjimi. Policia dhe partnerët nuk kanë punuar kurrë me një pajisje përgjimi. Kjo nuk i lejohet policisë me ligj. Nuk bëhet fjalë për pajisje përgjimi, por për pajisje fare normale në punën e policisë që s’ka asnjë lidhje me përgjimin.”
Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani konfirmoi nisjen e hetimeve nga Prokuroria për këtë rast.
Ylli Manjani, Ministër i Drejtësisë:
“Për këtë çështje ka hetim nga prokuroria e shtetit. Të ballafaqohemi me të vërtetat. Kini durim të shkojmë në fund. Të gjitha të tjerat nuk ndihmojnë hetimin. Nëse ka të vërteta, por edhe nëse jo duhen sqaruar. Nga hetimi s’duhet të ketë frikë askush”
Një ditë më parë ish-kryeministri Berisha tha se janë 375 personalitete shtetërore dhe politike që janë përgjuar nga një pajisje e vendosur në policinë e shtetit. Për këtë arsye opozita ka kërkuar thirrjen në një seancë dëgjimore në komisioin e sigurisë, të martën, të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Tv Klan