Basha prezanton planin për arsimin
Rrisim me 700 euro pagat e mësuesve. 900-1300 euro për pedagogët
Arsimin e sheh si betejën më të madhe për të ardhmen e Shqipërisë. Në krah të ekspertëve të Partisë Demokratike që kanë hartuar planin për arsimin, Lulzim Basha u angazhua të përmbushë problematikat me të cilat përballet ky sektor.
“Angazhohem se do të siguroj tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Wducation World Wide për 5 gjuhë të huaja-anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht!”
Në portofolin për arsimin prioritet tha se ka pagat e mësuesve dhe pedagogëve.
“Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Angazhohem se do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.”
Edi Ramën e akuzoi se ka dështuar në menaxhimin e arsimit gjatë pandemisë, por në planin e tij u zotua për një ndryshim të ri.
“Brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, laptop ose kompjuter në shtëpi”.
I pari vendim si Kryeministër tha se do të jetë anulimi i ligjit për arsimin e lartë, ndërsa u zotua se do t’i vijë në ndihme çdo studenti në nevojë.
“Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo studentët dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj”.
Për studentët më të mirë Basha tha se në planin për arsimin qeveria e tij do të paguajë 10 mijë stazhe 12 mujore.
Tv Klan