Pandemia, replika në distancë mes Ramës dhe Bashës
Kreu i PD: Situata jashtë kontrollit. Kryeministri: Akuza politike
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngritur sërish shqetësimin se numri i të sëmurëve nga Covid-19 po rritet përditë, fatalitetet po shtohen dhe kapacitetet shëndetësore sipas tij po shkojnë drejt kolapsit. Basha thotë se Rama ka humbur kontrollin mbi pandeminë.
“Po të na kishte dëgjuar, qeveria do kishte marrë masat e duhura. Në vend të llafeve, sot më shumë se kurrë duhen vendime dhe veprime të shpejta për të rritur testimet dhe fonde për të ndihmuar të sëmurët, shëndetësinë dhe ekonominë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Rama që ironizon akuzat e kryedemokratit.
“Lulëzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh, thoshte Shvjeku i shkretë!”
Por kreu i opozitës thotë se situata është urgjente që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
“Shëndeti dhe pamundësitë ekonomike janë shqetësimi i çdo shqiptari sot. Por në vend që të japë para për testimet, ilaçet dhe të pamundurit, Rama e ka mendjen tek sulmet politike, ndërkohë që vazhdon të paguajë miliona për inceneratorët dhe tenderat korruptivë. Edhe sa njerëz duhet të vdesin për fajin e Ramës???”
Basha thotë se duhet të shtohen testimet, të rimbursohen ilaçet për pacientët në shtëpi dhe të shtohen kapacitetet mjekësore. Sipas tij sulmet politike nuk e mbulojnë dështimin. Por për mazhorancën, opozita është duke bërë politikë me fatkeqësinë.
“Nuk bëhet politikë me fatkeqësitë. Nuk ka në asnjë vend të Europës sot një politikë kaq djallëzore që të bëjë politikë me një pandemi. Ajo që më vjen keq është përpjekja e katër politikanëve të së keqes që sot janë bashkë dhe nga Berisha tek Meta, nga Luli tek Monika mundohen të përdorin fatkeqësinë për llumin e tyre politik”, tha Balla.
Në fokus të përplasjeve mes opozitës dhe qeverisë ditët e fundit është bërë edhe puna e Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Tv Klan