Basha: Qeveria jonë pranë njerëzve


Basha: Qeveria jonë pranë njerëzve

12:42 29/11/2016

Lulzim Basha ka kërkuar nga anëtarësia e Partisë Demokratike në Përmet hapje, bashkim dhe qëndrim pranë njerëzve.

Këto parime tha Basha duhet të udhëheqin përfaqësuesit e opozitës për ta bërë Partinë Demokratike një alternativë të besueshme për shqiptarët e zhgënjyer nga keqqeverisja.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Njerëzit me reputacion që duan të vijnë të bashkëpunojnë me ne, nuk duhet të shikohen si kërcënim, nuk vijnë të marrin por vijnë të japin. Vijnë të ndajnë me ne shpresën për një Shqipëri ndryshe nesër. Ndaj kjo porosi është diçka tek e cila dua të insistoj fort sot, hapeni partinë ndaj njerëzve që duan të bashkohen, të japin kontributin e tyre.

Ndërsa kryeministrin e akuzoi se në tre vjet qeverisje braktisi shqiptarët, alternativa që ofron e djathta sipas tij synon ta kthejë pushtetin tek qytetarët.

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së:

Si mund të pranoj të harxhoj për luks zyrash, për bileta avionësh 140 milionë dollarë në dy vite. Kur me këto para dhe të tjera të marra së bashku mund të hapen 55 mijë vende pune në vit, me rrogë mesatare 500 mijë lekë. Njerëzit që shkëputen nga hallet sapo i hipin pushtetit, nuk janë modeli im, nuk mund të jenë modeli i PD, jam i sigurt që nuk janë as modeli juaj.

Kryetari I Partisë Demokratike u takua edhe me banorë të fshatit Kaluth në Përmet, banorët e të cilit u ankuan për mungesën e subvencioneve dhe papunësisë./ TV KLAN






Të ngjashme