Basha: Rama, 80 mijë dollarë të paligjshme për një foto me Obamën
Kreu i opozitës, Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se qëndron pas një krimi të rëndë federal, pasi ka paguar 80 mijë dollarë në një mbledhje fondesh për Presidentin Barack Obama, në këmbim të një fotoje me të në vitin 2012. Sipas Bashës, ky fakt tronditës, që u bë publik pas hetimeve nga ana Departamentit Amerikan të Drejtësisë duhet të hetohet edhe nga autoritetet shqiptare.
Por Kryeministri Rama, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, e cilësoi manipulim mediatik dhe propagandë e baltës, deklaratën e kreut të opozitës. Ai sqaron se nuk ka marrë pjesë në asnjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre, pasi ligji amerikan, thuhet në njoftim, ndalon përfshirjen e çfarëdolloj shtetasi të huaj në fushatë, në Shtetet e Bashkuara.
Bilal Shehu, që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë, vijon deklaratën e tij kreu i qeverisë, është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin tonë në SHBA në vitin 2012, por mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë veprim financiar nga ana e Edi Ramës, për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama.
Kryeministri Rama i bën thirrje kreut të opozitës të fokusohet tek Reforma në Drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara ta tregojë duke mbështetur projektin kushtetues të Reformës në Drejtësi, që është hartuar me kontributin e çmuar të SHBA e BE, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë.
Tv Klan