Basha: Rama do të mbushë vendin me helmet e plehrat e botës
Pas fjalimit të Kryeministrit Rama në Facebook përmes video-mesazhit lidhur me ligjin e mbetjeve, ka reaguar Kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ky i fundit, teksa e cilësoi mashtrues kryeministrin, tha se sot ai bëri mashtrimin e radhës duke thënë se “ky ligj është i mirë, por ju jeni budallenj.”
Basha tha gjithashtu se në fund të mandatit të tij, Rama po përpiqet të mbushë vendin me helmet dhe plehrat e botës, duke i hapur rrugë mafias.
“#EdMashtrusi bëri sot mashtrimin e rradhës. Në monologun që xhiron vetë ju tha qytetarëve se ligji i plehrave është i mirë por ju jeni budallenj.
3 vjet më parë ju premtoi shqiptarëve se kurrë nuk do të lejonte mbetjet e huaja në vend. Tani që po i mbaron mandati, tinëzisht, pa transparencë kaloi ligjin që i hap rrugë Mafias të sjellë helmet e Europës në Shqipëri.
Në këto 3 vite nuk prodhoi gjë tjetër veç varfëri, eksod, krim dhe drogë. Tani do ta mbushë vendin me helmet dhe plehrat e botës. Shqipëria pa Edi Ramen është Shqipëria pa plehra. #Shqiperia më mirë pa Edi Ramën.”/tvklan.al