
Basha: Bashkohemi për të larguar qeverinë e krimit
Përpara strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në Durrës, Lulzim Basha tha se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë nga ajo që e cilëson qeveri e krimit është bashkimi i shqiptarëve në protestën e thirrur nga opozita në 27 janar.
“Masiviteti në protestë është mesazhi më i qartë se papajtueshmëria, që ju qytetarë, e prekni kudo me këtë qeverisje, nuk është më e heshtur, por është zëlartë dhe është një refuzim i pakapërcyeshëm. Është sinjali më i vërtetë, më i qartë se e keqja ka rënë moralisht.”
Drejtësia e pavarur është edhe lajtmotivi i valës së protestave që opozita ka paralajmëruar. Për Bashën legjitimiteti i qeverisë ka rënë dhe si dëshmi të lidhjeve me krimin solli rastin e kryebashkiakut të Durrësit dhe kreut të OSHEE-së, të cilët opozita i akuzon se përmes kriminelëve blenë vota në zgjedhje duke i shpërblyer me tendera publikë.
“Edi Rama e ka humbur të drejtën të qeverisë. Kush i shërben krimit, nuk i shërben dot të varfërve. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Sajmir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit.”
Pjesëmarrja masive në protestë sipas Bashës është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
Tv Klan