
Basha: Reforma Zgjedhore, prioriteti numër 1
“I kemi paraqitur propozimet tona prej Shtatorit, jemi në pritje të qëndrimit të PS”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilëson miratimin e Reformës Zgjedhore si prioritetin numër 1. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha tha se kjo reformë i hap rrugë zgjedhje të parakohshme.
“Prioriteti numër 1 është miratimi i menjëhershëm i Reformës Zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhjet vendore, me standard dhe garanci për votën e lirë, për t’i dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimit të krimit dhe parave të pista të krimit dhe për të ndëshkuar krimin elektoral, që janë tre kushte të tjera të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat me Shqipërinë”.
Basha tha se opozita i ka paraqitur propozimet e saj që prej Shtatorit dhe se është në pritje të qëndrimit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama. Kreu i PD u shpreh më tej se opozita do të ndërmarrë çdo veprim të domosdoshëm për të mos e lënë vendin pa Reformë Zgjedhore, ndërsa theksoi se ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Ne kemi paraqitur propozimet tona prej Shtatorit. Që nga Shtatori opozita i prin këtij procesi dhe ndërkohë ka kaluar një afat, që është afati i Dhjetorit. Jemi ne në pritje të qëndrimit të PS dhe të Edi Ramës. Pro apo kundër. Por dua të them se kjo pritje nuk mund të vazhdojë pa fund. Dhe se ne do të marrim absolutisht çdo vendim dhe do të ndërmarrim çdo veprim të domosdoshëm për të mos e lënë Shqipërinë pa Reformë Zgjedhore dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme. Ky nuk mund të jetë një proces tavolinash të mbyllura e dhomash të errëta, duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës, i aktorëve dhe faktorëve politikë dhe jo vetëm, edhe faktorëve shoqërorë, që të garantojë një Reformë Zgjedhore me standarde, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Propozimet tona janë të qarta, janë të publikuara. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë presje, asnjë pikë, asnjë qëndrim nuk ka ndryshuar. Natyrisht, që këtu prevalon vullneti politik. Ai që vendos është vullneti politik. Përsa kohë Edi Rama vazhdon ta mbështesë karrierën e tij politike dhe fatin e tij politik tek kriminelët, përsa kohë zbulohen kriminelë në Kuvend, në bashki, në institucione dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme!”./tvklan.al