Basha replika me Policinë e Shtetit


Basha replika me Policinë e Shtetit

15:25 02/01/2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është përfshirë në replika në distancë me Policinë e Shtetit pas ndalimit në pikat kufitare të disa personave, pjesëmarrës në protestën e opozitës më 18 dhjetor përpara parlamentit. Rasti i fundit ishte ai i një 49-vjeçareje e ndaluar në pikën doganore të Morinës që sipas uniformave blu ishte shpallur në kërkim e akuzuar për “kundërshtim të forcave të policisë”. Pas dhënies së një deklarate ajo është lënë e lirë, por kreu i demokratëve thotë se ky është reagim prej frikacaku i Edi Ramës nga zemërimi masiv i qytetarëve.

“Këto janë shenjat e tmerrit qe i ka kapur nga protesta e radhës. Burgosja e qytetareve nuk e shpëton dot Edi Ramen, sepse një popull të tërë nuk e burgos dot. Me akte të tilla Edi Rama nuk bën gjë tjetër veçse po firmos me shpejtësi fundin e tij politik”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Shtetit e cila thotë se pas protestës janë shpallur në kërkim disa persona.

“Sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrullë policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t’i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen. Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor”.

Policia thotë se hetimet ndaj këtyre vijojnë nga Prokuroria e Tiranës duke shtuar se nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë.

Tv Klan






Të ngjashme