Basha shpjegon programin për turizmin
“Në 4 vjet industria do të rritet nga 8 në 10%”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në Durrës ku u shpjegoi operatorëve turistikë planin e partisë tij në rast të fitores së zgjedhjeve në 25 prill. Basha tha se angazhimet janë të qarta për të rritur potencialin turistik të vendit.
“Në rrafshin e objektivave të drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me turizmin, synimi kryesor është që brenda 4 viteve industria të ketë një rritje nga 8 në 10% dhe këtu padiskutim përjashtojmë pjesën e udhëtimit, që është pothuajse edhe njëherë kaq. Flasim vetëm për turizmin dhe jo për udhëtimin, se bashkë me udhëtimin na shkon 22%. Në praktikë kjo do të thotë, të dyfishojmë numrin e të punësuarve në sektor. Në praktikë kjo do të thotë synojmë një rritje prej 15% të numrit të turistëve vit pas viti”.
Basha shpjegoi edhe lehtësitë fiskale që do të merren për operatorët turistikë.
“Një nga instrumentet është padiskustim që taksa 6% që duhet të zbatohet për të gjithë operatorët turistikë, e kam fjalën për TVSH-në, tatimin mbi vlerën e shtuar. Ky instrument së bashku me një mbështetje të fuqishme financiare, me një paketë financiare dhe fiskale për të mbështetur kualifikimin e fuqisë punëtore, kualifikimin e rikualifikimin e fuqisë punëtore”.
Basha premtoi se pas 25 prillit do të ketë një qeveri që turizmin e ka prioritet.
Tv Klan