Basha takim me tregtarët e Vlorës
Për të treguar gjendjen e vështirë ekonomike ku ndodhet biznesi, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi tregun e fruta-perimeve në Vlorë. Ai bisedoi nga afër me disa tregtarë për t’u njohur me ankesat e tyre.
Sipas Bashës, kjo situatë e vështirë ka përgjegjës Kryeministrin dhe qeverinë e tij që punojnë vetëm për interesat e tyre. Por me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet fokusi do të jenë njerëzit.
“Nga deputeti i parë, kryeministri tek Kryetari i Bashkisë shohin vetëm interesat e tyre prandaj është gjendja kështu. Do bëjmë gjithçka për ta ndryshuar. Dhe ndryshimi është shumë afër. Edhe unë të garantoj që qeveria e re që do të vijë, edhe ajo do t’i ketë mandatet e kufizuara. Kush nuk i bën dot punët për 8 vite, nuk ka fytyrë, nuk ka gojë të kërkojë edhe 4 vite të tjera. Mrekullira nuk premtojmë, por do punojmë për njerëzit. Do punojmë për njerëzit, do punojmë për ju. Dhe ju do të keni pushtetin për të ndryshuar qeverinë sa herë që nuk punon për ju”.
Kryedemokrati Lulzim Basha u premtoi tregtarëve se një nga prioritetet e qeverisë së tij për Vlorën do të jetë ndërtimi i një tregu fruta-perimesh.
Tv Klan