Basha: Rama të zbatojë planin 5 pikësh të opozitës
“Ka braktisur personat me aftësi të kufizuara”
Pandemia ua ka vështirësuar edhe më tej gjendjen ekonomike, ndaj dhe në takimin që patën me Lulzim Bashën akuzuan qeverinë se i ka braktisur, duke mos mbajtur premtimet për personat me aftësi të kufizuara.
“Na premtoi edhe për 500 lekëshin, na premtoi edhe për 1 mijë lekëshin e asistencës sociale për të cilat tani në datë 22 Tetor kemi qenë edhe në Komisionet e Ekonomisë online edhe përsëri jemi zero”.
“Patëm një diskriminim në publik duke thënë që donatorët vazhdojnë dhe i mbështesin organizatat dhe kjo nuk ishte e vërtetë”.
I vetmi përgjegjës për keqmenaxhimin e situatës së pandemisë sipas Lulzim Bashës është Kryeministri Rama, të cili i kërkoi sërish të vërë në zbatim planin pesë pikësh të opozitës.
“Në veçanti rritjen e testimeve, rimbursimin e paketës së ilaçeve, forcimin e kapaciteteve spitalore, që do të thotë edhe hapjen e spitaleve rajonale, mos të përplasen të gjithë në Tiranë. Ndërkohë që po ndodh e gjithë kjo katastrofë shëndetësore dhe ekonomike. Situata për ju ka qenë një makth i vërtetë edhe para nisjes së pandemisë”, tha Basha.
Kreu i opozitës premtoi se pas ardhjes në pushtet të së djathtës, shqetësimet e ngritura nga shoqata e personave me aftësi të kufizuara do të marrin zgjidhje dhe abuzuesit e fondeve që duhet të shkonin për këtë kategori do të përballen me drejtësinë.
Tv Klan