Basha në Kukës: Qeveria braktisi fermerët
Banorët e Shishtavecit: Prodhimi i patates na kalbet në gropë
Për fermerët e Novosejit dhe Shishtavecit në Kukës, bujqësia është e vetmja mundësi për të mbijetuar. Të njohura si zona për kultivimin e patates, banorë të këtu dy fshatrave ndanë me kreun e opozitës Lulzim Basha shqetësimin se prej vitesh detyrohen që prodhimin e tyre ta groposin për shkak të mungesës së një tregu.
“Vjet kisha unë 150 kuintal të mëdha, kualitet i parë për treg dhe arritëm mos të shes asnjë, të gjitha u kalbën në gropë. Po ishte njëfarë gjobe e madhe për ne, se ishte buka e fëmijëve”.
Ndërsa tregu bie, ata thonë se kostoja e prodhimit është një faturë e papërballueshme për ta. Nafta është shtrenjtë që është kryesore.
“Asnjë lloj subvencionim, asnjë lloj, na duhet përkrahje nga qeveria nga shteti.”
I vetmi përgjegjës për braktisjen e fermerëve Basha shprehet se qëndron i ulur në karrigen e kryeministrit.
“Shqipëria po mbytet me prodhime të subvencionuara të fermerëve të huaj. Pse? sepse qeveria nuk është në krahun tuaj”.
Për të rimëkëmbur sektorin e bujqësinë, sipas Bashës nevojitet një qeveri që ul taksat e subvencionon fermerët.
“Nuk do të bëjmë mrekulli, të garantoj, do kesh përkrahje. Ka ardhur koha të kemi një qeveri në krahun tuaj, t’iu mbështes, t’iu përkrah, të bëjë gjithçka për t’ua bërë më të lehtë jetën, jo më të vështirë. Kjo do të jetë qeveria që do të vijë”.
Tv Klan