Basha viziton të prekurit nga tërmeti


Basha viziton të prekurit nga tërmeti

19:52 04/12/2019

100 banorë strehohen në zonën e Unazës së re

100 banorë të prekur nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit të cilët janë strehuar në një qendër humanitare në zonën e Astirit, u vizituan nga kreu i opozitës Lulzim Basha.

Emergjente sipas Bashës, del vlerësimi i shpejtë i dëmeve në banesa.

“Kryesore është të vlerësohen banesat, të vlerësohet dëmi”.

Basha apeloi për ndihma, teksa vlerësoi humanizmin e banorëve të Unazës së Re.

“Nuk është e rastësishme që këta njerëz që e kanë vuajtur jo një ditë, siç e vuajtën familjet e goditura apo gjithë shqiptarët, por ditë për ditë traumën e fatkeqësisë, këta janë të parët që hapën zemrat, hapën shtëpitë e tyre, dhanë gjithçka po ndihmojnë të parët, për t’u qenë pranë njerëzve që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë”.

Në këtë qendër ku janë vendosur banorë të Kombinatit, Vorës, Niklës, Ishmit e Bubqit ndihmat kanë ardhur jo vetëm nga shoqata e individë, por edhe nga përfaqësues të medias, siç është edhe stafi i emisionit Stop në Tv Klan.

Në mbrëmje, kreu i demokratëve u takua me aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët po mbledhin ndihma për të prekurit nga tërmeti duke i vlerësuar për kontributin e tyre.

Tv Klan






Të ngjashme