Basha: Vrasja e gjyqtares, shuplakë zgjimi për të reaguar kundër krimit


Basha: Vrasja e gjyqtares, shuplakë zgjimi për të reaguar kundër krimit

17:43 31/08/2017

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilëson një ngjarje të rëndë vrasjen e gjyqtares 39-vjeçare që u ekzekutua në mes të Tiranës nga ish-bashkëshorti i saj.

Në një postim në Facebook, kreu i demokratëve akuzon instancat shtetërore që shpërfillën një ngjarje të paralajmëruar, pasi gjyqtarja Fildes Kasemi ishte tentuar që të vritej edhe më parë nga ish-burri.

Basha thotë se ngjarja makabre duhet të jetë një shuplakë për të gjithë që të reagojnë kundër krimit dhe të mbrojnë qytetarët.

“Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezen në fatin e saj tragjik. Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes.

Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur. Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijet e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt”

, shkruan Lulzim Basha në Facebook.

/tvklan.al






Të ngjashme