Bashkëshortja e Netanjahut nën hetim
Sara Netanjahu, bashkëshortja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu është vënë zyrtarisht nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim fondesh publike. Akuzat i ka ngritur prokuroria e Jeruzalemit që akuzon bashkëshorten e kryeministrit se ka falsifikuar shpenzimet në rezidencën kryeministrore, duke shpërdoruar 130 mijë euro nga fondet shtetërore.
Dokumentet tregojnë se shuma marramendëse është shpenzuar gjatë periudhës mes viteve 2010 – 2013. Ajo ka mashtruar kur ka thënë se rezidenca qeveritare nuk ka të punësuar kuzhinierë. Ndërsa ka deklaruar se paratë publike i ka shpenzuar për shërbime katering. Zonja Netanjahu i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur “shantazhuese”.
Prej vitit 2017 edhe bashkëshorti i saj kryeministër është zyrtarisht nën hetim për të paktën 2 raste korrupsioni. Benjamin Netanjahu dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash dhe të mirash materiale nga biznesmenë vendas dhe të huaj në këmbim të favoreve politike.
Tv Klan