Bashkia e Tiranës denoncon shkeljet me tendera nga paraardhësit – (26 Janar 2001)


Bashkia e Tiranës denoncon shkeljet me tendera nga paraardhësit – (26 Janar 2001)

15:31 26/01/2001

Lajme Arkiva – TV 2001

Shkeljet me tenderat Bashkia e Tiranës i ka fokusuar në rendin e ditës. Rasti më flagrant dhe i dukshëm është ai që ka ndodhur me restaurimin e skenës së Estradës së kryeqytetit. Këtu përveçse nuk duket rregullimi apo rehabilitimi të bie në sy shkatërrimi. Rreth 13.5 milion lekë të reja janë menaxhuar në mënyrën më të keqe, duke e lënë Estradën në pikë të hallit.   

Kështu në dosjen që gjendet në bashki, shkeljet sipas drejtuesve, janë të pallogaritshme. Në kontratën që është lidhur midis komisionit të tenderit, firmosur nga ish-nënkryetari i bashkisë mungojnë nenet përkatëse, si dhe kjo kontratë ka një shtesë të pajustifikueshme. Përveç kësaj blerjet e mallrave nga firma Siba, që ka bërë rikonstruksionin janë rreth 4.5 herë më të larta.

Blendi Gonxhe:- “Në Bashkinë e Tiranës ka shumë shkelje të gjetura nga administratat e mëparshme. Në përgjithësi të gjitha dosjet që ne po studiojmë, një ekip i posaçëm po punon për t’i studiuar dhe për të nxjerrë gjithë gabimet, që do t’i shkojnë organeve kompetente, si kërkesë e Bashkisë së Tiranës, për të vënë në vend dinjitetin e këtij institucioni”.

Kështu dy të pushuarit e parë nga puna ishin përfaqësues të administratës në bashki. Masa e largimit nga puna sipas grupit që shqyrton dosjet e tenderave pranë bashkisë, pritet të merret edhe për disa punonjës të tjerë. Më pas çdo gjë do të kalojë në gjykatë për ndjekje penale./tvklan.al






Të ngjashme