Bashkia e Tiranës dhe policia rrugore aksion për vijëzimin e rrugëve – (17 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Para pak ditësh bulevardi qendror i Tiranës, u vijëzua me vijat e bardha. E megjithatë, qytetarët e Tiranës, nuk kanë pasur mundësi ta shijojnë për shumë kohë bulevardin e tyre të vijëzuar, sepse vijat janë fshirë. Për aksionin e bashkisë dhe policisë së qarkullimit rrugor, për vijëzimin e rrugëve të kryeqytetit, flet Luan Shehu, shef i qarkullimit rrugor.
Luan Shehu:- “Ndotja e rrugës, me pluhura, me dhera, duke u bërë së bashku me gomat e makinës, kanë dëmtuar vijat e bardha”.
Ndotja, armiku kryesor i ambientit të Tiranës, po pengon dhe vijëzimin normal të rrugëve të saj. Për këtë arsye, bulevardi i kryeqytetit do të lahet gjatë natës dhe do të rivijëzohet përsëri. Aksioni i vijëzimit për rrugët e kryeqytetit do të jetë në vazhdimësi në objektivat e bashkisë dhe policisë rrugore./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori