Bashkia e Tiranës largon nga puna 400 punonjës – (12 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Të pushuarit nga puna në ndërmarrjen e kuartallave sot kanë protestuar para bashkisë së kryeqytetit. Janë rreth 400 punonjës që janë larguar nga puna pas reformës së bashkisë. Reforma e bashkisë është bërë si në administratë ashtu edhe tek punëtorët e ndërmarrjeve. Nga 700 punonjës buxhetorë të ndërmarrjes së kuartallave dhe gjelbërimit, aktualisht në punë janë vetëm gjysma.
Sipas nënkryetarit të bashkisë Blendi Gonxhe, reforma ishte më se e domosdoshme, pasi janë larguar nga puna më pak të nevojshmit.
Blendi Gonxhe:- “Për këtë arsye, ne kemi bërë një reformë, e cila çon në shtëpi vërtet disa punonjës, por mos harroni që në fund të fundit, këto fonde do të rikthehen si fonde të cilat edhe do të punësojnë njerëz, kur këto të bëhen rrugë, ura, ujësjellës dhe kanalizime”.
Sipas përllogaritjeve ekonomike, nga kjo reformë janë kursyer rreth 670 milion lekë të vjetra, që do të shpenzohen për infrastrukturën e kryeqytetit, ku do të hapen vende të reja pune, por kësaj radhe për specialistë./tvklan.al