Bashkia e Tiranës mbyll diskotekat në oraret e paradites – (17 Janar 2001)


Bashkia e Tiranës mbyll diskotekat në oraret e paradites – (17 Janar 2001)

18:32 17/01/2001

Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Diskotekat në kryeqytet do të funksionojnë vetëm gjatë orëve të natës. Vendimi është marrë nga bashkia e kryeqytetit, pasi është kërkuar më parë nga drejtoria arsimore. Paradite dyert e diskove tani do të jenë të mbyllura, për t’u hapur në mbrëmje, por reagimet e pronarëve janë të ndryshme, pasi leja e marrë për këtë aktivitet është pa ndërprerje orari.

Problemi i lënies së orëve të mësimit nga nxënësit, si dhe përdorimi i pijeve alkolike, cigares dhe drogave të lehta, ishte arsyeja kryesore përse Bashkia e Tiranës mori këtë vendim. Nënkryetari i bashkisë Tiranë Blendi Gonxhe thotë:

Blendi Gonxhe:- “Ne do t’i lejojmë të funksionojnë vetëm nga ora 19 e pasdites deri në 5 të mëngjesit. Çdo subjekt, që thyen apo shkel këtë rregull, do të gjobitet, do të merren masa dhe do t’i bllokohet aktiviteti. Gjithashtu masa do të ketë edhe me frekuentuesit”.

Nga statistikat e deritanishme llogariten se 80% e nxënësve e kanë lënë mësimin për të shkuar në diskotekë. Përveç kësaj në 50% të rasteve përdoret alkoli dhe cigarja nga vajzat./tvklan.al






Të ngjashme