Bashkia e Tiranës ndalon shfaqjen e filmave pornografik në kinema – (4 Nëntor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Këto stenda të vendosura në qendër të Tiranës, reklamojnë filmat e dy prej kinemave të kryeqytetit. Oraret për ata që i kanë vendosur, janë krejt normal, pasi në darkë nuk shkon njeri. Për këtë arsye Bashkia e Tiranës, ka ndaluar me një vendim shfaqjen e filmave pornografik, në kinematë e varura prej saj. Nënkryetari i bashkisë Blendi Gonxhe, thotë:
Blendi Gonxhe:- “Ajo që ne kemi bërë është që kemi udhëzuar drejtorinë përkatëse, që të ndërpresë urgjentisht në ato institucione që kanë në varësi direkte, administrative nga kjo bashki, transmetimin, shfaqjen dhe shpërndarjen e filmave pornografik në Tiranë”.
Kinematë e kryeqytetit, por edhe të qyteteve të tjera të vendit, kanë rreth dhjetë vjet që biznesin e shfaqjes së filmave e kanë parë në këtë kategori, tek pornografia. Sanksione nuk ka pasur asnjëherë, si për orarin ashtu edhe për moshën e atyre që e frekuentojnë./tvklan.al