Bashkia e Tiranës nis punimet për rikonstruksionin e çerdhes 15 – (24 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kjo është çerdhja numër 15 në Tiranë. Prej shumë vitesh, gjendja e saj sa vinte e keqësohej derisa arriti në këtë pikë kritike. Deri para tre ditësh, 25 fëmijët e mbetur në këtë çerdhe kanë kaluar një pjesë të ditës, në këto ambiente jo vetëm të pabanueshme, por edhe të rrezikshme për jetën e tyre.
Për t’i dhënë fund kësaj gjendje, Bashkia e Tiranës ndërmjetësoi, duke i dhënë të drejtën shoqatës SORO-s, e cila do të merret qysh nga dita e sotme, me financimin dhe projektin e rehabilitimit të kësaj çerdhe. Në fillimin e punimeve të përurimit, merrte pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
Edi Rama, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Duke filluar me projekte të vogla, me hapa të vogla, ne do të bëjmë që të ndryshojë mendësia, në menaxhimin e atyre të ardhurave të cilat në fund të fundit, janë të fëmijëve tanë, nuk janë tonat dhe të cilat askush nuk mund të guxojë t’i preki”.
Investimet për restaurimin e çerdhes 15, do të arrijnë vlerat 57 mijë dollarë dhe punimet do të përfundojnë pas tre muajsh. Ndërkohë që bashkia e Tiranës, nga fondi i saj do të japi një milion lekë për pajisjet e brendshme, si dhe për murin rrethues të kësaj çerdhe./tvklan.al