Bashkia e Tiranës organizon minipanair në sheshin “Skënderbej” – (19 Dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Bashkia e Tiranës, ka filluar punën për krijimin e një minipanairi në sheshin “Skënderbej”, Ky minipanair, do të bëjë pjesë në kuadrin e aktiviteteve që do të organizojë Bashkia e Tiranës me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Puna ka nisur me bllokimin e sheshit me vazo të ngurta për të krijuar një hapësirë të domosdoshme për krijimin e kushteve optimale. Zëvendës kryetari i bashkisë Blendi Gonxhe thotë:
Blendi Gonxhe:- “Ne do të donim që edhe sivjet të kishim një lëvizje të madhe në sheshin “Skënderbej”, do të donim që qytetarët të frekuentonin sheshin “Skënderbej”, por në një mënyrë më të sigurt dhe prandaj do ta bllokojmë këtë shesh. Nga ana tjetër do të donim që në këtë shesh t’i ofroheshin qytetarëve të gjitha shërbimet në mënyrë që ata të kalojnë një ditë të tërë, duke blerë dhurata dhe duke u argëtuar”.
Subjekte të ndryshme tregtare do të kenë mundësi që të tregtojnë në këtë hapësirë mallrat e tyre si lodra dhe dhurata për fëmijë, deri tek pijet dhe ushqimet e çastit./tvklan.al